Sümeyye Dilara Dinçer
09 Janar 2021•Përditësim: 10 Janar 2021
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, njoftoi listën e sistemeve të armëve të teknologjisë së lartë në zhvillim dhe kërcënoi me forcimin e magazinës së armëve bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë koreano-veriore të lajmeve (KCNA), Kim Jong-un ka mbajtur një fjalim në kongresin e tetë të Partisë së Punës që u zhvillua pas 5 vitesh në Phenian. Në fjalën e tij, ai vuri në dukje se janë të hapur për dialog me Washingtonin, por se Koreja e Veriut duhet të rrisë kapacitetin ushtarak dhe bërthamor në mënyrë që të përballojë armiqësinë e SHBA-ve.
Po ashtu duke ripërsëritur se SHBA është "armiku kryesor" i Koresë së Veriut, lideri koreano-verior tha se, "Kushdo që të vijë në detyrë në SHBA, struktura themelore dhe politika armiqësore e vendit nuk do të ndryshojë kurrë".
Formimi i marrëdhënieve të reja me SHBA-të varet nëse ajo do të vazhdojë apo jo politikën e saj armiqësore, theksoi Kim Jong-un, i cili njoftoi se armët bërthamore nuk do të përdoren për sa kohë që forcat armike nuk mendojnë të përdorin armët e tyre bërthamore.
Më tej, duke njoftuar se pothuajse të gjithë sektorët në vend kanë mbetur prapa me planet e zhvillimit ekonomik, Kim Jong-un pranoi se plani 5-vjeçar i zhvillimit që u përcaktua në vitin 2016 ka dështuar.
Vështirësitë me të cilat është përballur qeveria, Kim Jong-un i komentoi si "më të vështirat dhe më të papritura deri më tani" dhe bëri thirrje për një plan të ri 5-vjeçar.
Kongresi, i cili është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Punës së Koresë së Veriut, për herë të fundit u mblodh në vitin 2016.