Riyaz Khaliq Khaliq, Sarah Binti Haironnine
03 shtator 2026•Përditësim: 03 shtator 2026
Kina ka bërë të ditur se ka përfunduar një studim gjeofizik detar në ujërat në lindje të Tajvanit, duke mbledhur të dhëna mbi kushtet gjeologjike të shtratit të detit, transmeton Anadolu.
Sipas raportit të agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, studimi u krye nga Instituti i Dytë i Oqeanografisë, në kuadër të Ministrisë së Burimeve Natyrore të Kinës, nga 10 deri më 31 gusht dhe përfshiu topografinë e shtratit të detit, shtresat sedimentare, strukturat e thella gjeologjike dhe fushat gjeofizike.
Ministria kineze tha se të dhënat do të mbështesin kërkimet gjeologjike dhe do të ofrojnë bazë shkencore për menaxhimin e integruar të ujërave nën juridiksionin e Kinës në rajon.
Ky zhvillim vjen derisa Tajvani pretendon se stërvitjet e fundit ushtarake të Kinës janë përqendruar gjithnjë e më shumë në operacione të “bllokadës së përbashkët”, që synojnë ndërprerjen e rrugëve të jashtme të ishullit.
Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Tajvanit, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit në një raport në fillim të kësaj jave tha se në vitet e fundit stërvitjet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore kundër Tajvanit janë “përqendruar të gjitha në bllokimin e përbashkët të rrugëve të jashtme detare të Tajvanit”, tha Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit në një raport në fillim të kësaj jave.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Pekini ndaj pretendimeve të Taipeit.
Dje, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se pesë anije të marinës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe tre anije zyrtare ishin zbuluar përreth Tajvanit që nga e mërkura.
Ministria në rrjetin social amerikan X tha se Tajvani dislokoi avionë, anije luftarake dhe sisteme raketore me bazë në bregdet për të monitoruar aktivitetin.