Nuri Aydın
12 Gusht 2022•Përditësim: 12 Gusht 2022
Koreja e Jugut ka amnistuar kryetarin e bordit drejtues të kompanisë elektronike Samsung Electronics, Lee Jae-yong, i cili ishte burgosur për ryshfet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, presidenti i vendit Yoon Suk-yeol njoftoi faljen e 1.691 të burgosurve, përfshirë Lee, me rastin e 15 gushtit, Ditës Kombëtare të Pavarësisë.
Përveç Lee, në mesin e të falurve janë edhe tre biznesmenë të tjerë, përfshirë shefin ekzekutiv të Lotte Group, Shin Dong-bin.
Yoon tha se me vendimin e amnistisë, ai shpreson të stabilizojë jetesën e njerëzve që po kalojnë kohë të vështira për shkak të pandemisë COVID-19 dhe t’u ofrojë anëtarëve të cenueshëm të shoqërisë, përfshirë qytetarët e thjeshtë, bizneset e vogla dhe tregtarët, "mundësinë e rikthimit dhe shpresës".
Ky vendim është falja e parë speciale që kur Yoon mori detyrën në maj.
I dënuar me 30 muaj burg më 18 janar 2021, Lee u lirua me kusht më 13 gusht 2021.
Më 18 janar, Gjykata e Lartë e Seulit dënoi Lee me 30 muaj burg për skandalin e ryshfetit që çoi në shkarkimin e ish-presidentes Park Geun-hye.
Lee u dënua për dhënie ryshfet këshilltares së Park, Choi Soon-sil.
Ish-presidentja Park u largua nga detyra në vitin 2017.
Më 14 janar, Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut la në fuqi dënimin me 22 vjet për Park për ryshfet, keqpërdorim të detyrës dhe krime të tjera.