Büşra Selvi Öğütcen
24 Dhjetor 2021•Përditësim: 25 Dhjetor 2021
Ish-presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, e dënuar me burg për ryshfet, keqpërdorim të detyrës dhe krime të tjera, do të amnistohet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Presidenca e Koresë së Jugut thuhet se presidenti Moon Jae-in do të falë paraardhësen e tij Park.
Në deklaratë thuhet se amnistia do të lë mbrapa mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe do të mbështesë bashkimin kombëtar përballë sfidave që paraqet pandemia.
“Ne duhet të kapërcejmë dhimbjet e së kaluarës dhe të hyjmë në një epokë të re. Është koha të mbledhim forcat tona për të ardhmen në vend që të luftojmë me njëri-tjetrin duke mbajtur mendjet tona të preokupuara me të kaluarën”, ka thënë presidenti Moon.
Moon ka vënë në dukje se gjendja shëndetësore e ish-presidentes Park është përkeqësuar pas gati pesë vitesh burg.
Ndërkaq, në një deklaratë të Ministrisë së Drejtësisë thuhet se 69-vjeçarja Park është mes 3.094 personave që do të falen më 31 dhjetor.
Në deklaratë thuhet se Park po trajtohet në spital që prej muajit nëntor dhe do të lirohet prej aty.
Ndryshe, ish-presidentja Park Geun-hye u shkarkua nga detyra në mars 2017 për ryshfet, keqpërdorim të detyrës dhe akuza të tjera, dhe më pas u arrestua dhe u burgos.
Duke theksuar se akuzat ndaj saj ishin politike, ish-presidentja nuk mori pjesë në seancat dëgjimore me arsyetimin se nuk kishte besim te drejtësia.
Park ishte dënuar me gjashtë vjet burg për përvetësim fondesh të fshehta nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës dhe dy vjet për shkelje të ligjeve zgjedhore.
Ndërkaq, në janar, Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut la në fuqi dënimin me 22 vjet për Park për ryshfet, keqpërdorim të detyrës dhe krime të tjera.
Siç ishte njoftuar, Park do të vuante dënime të veçanta për akuzat për shkelje të ligjit zgjedhor dhe përvetësim fondesh, të cilat më parë ishin tërhequr nga dosja.