Gamze Türkoğlu Oğuz
23 Janar 2019•Përditësim: 23 Janar 2019
SEUL (AA) – Në jehonën e samitit të dytë amerikano-verikorean, Koreja e Veriut i dërgoi kritikë të ashpër dhe akuzoi Washingtonin zyrtar se po devijon nga rruga e uljes së tensioneve dhe normalizimit të marrëdhënieve në Gadishullin Korean, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta zyrtare verikoreane “Rodong Sinmun“ botoi një tekst në të cilin ashpër kritikoi autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për shkak të një kërkese të fundit që autoritetet e Koresë së Jugut në masë më të madhe të marrin pjesë në përmbushjen e shpenzimeve të angazhimit të 28.000 ushtarëve amerikanë në bazat në pjesën jugore të Gadishullit Korean.
Pheniani zyrtar pohoi se kërkesa amerikane është e papërshtatshme dhe mbetet prapa dhe si e tillë është në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet dhe normalizimin e marrëdhënieve në këtë rajon.
Kohë më parë ka skaduar marrëveshja, sipas së cilës Koreja e Jugut pagoi 848 milionë dollarë në vit për angazhimin ushtarak amerikan. Autoritetet amerikane tani nga Seuli zyrtar kërkojnë që për 50 për qind të rrisë alokimet për këtë qëllim.
Kritika e Koresë së Veriut u shpalos në jehonën e pritjes së datës së takimit të dytë të presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un. Takimi duhet të organizohet në shkurt.