Ahmet Furkan Mercan
27 shkurt 2022•Përditësim: 27 shkurt 2022
Qeveria e Japonisë njoftoi se Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi në një konferencë për media deklaroi se Koreja e Veriut ka lëshuar raketë balistike në drejtim të Detit të Japonisë (Detit Lindor).
Ministri Kishi bëri të ditur se raketa ka përshkuar një distancë deri në 300 kilometra në një lartësi maksimale prej 600 kilometra duke rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike kombëtare dhe se lidhur me testimin qeverisë së Phenianit i është dërguar notë-proteste diplomatike.
Lidhur me testimin të cilin e ka "dënuar fuqimisht" dhe për të cilin ka vënë në dukje se "kërcënon sigurinë e rajonit", Kishi tha: "Nuk mund të injorohet se Koreja e Veriut po zhvillon me shpejtësi aftësitë e saj operacionale".
Duke vënë në dukje se komuniteti ndërkombëtar është i zënë me reagimet ndaj agresivitetit të Rusisë ndaj Ukrainës, Kishi tha: "Është e papranueshme që gjatë kësaj (Koreja e Veriut) të mbushë këtë boshllëk me lëshimin e raketave".
Ndërkohë Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut, ka konfirmuar se testimi raketor është kryer rreth orës 07:52 me kohën lokale nga rajoni Sunan në afërsi të Phenianit.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida u ka dhënë institucioneve përkatëse udhëzimin që të zhvillohen punimet për përcaktimin e dëmeve të mundshme në anijet dhe avionët që ndodhen në rajon.
Agjencia e lajmeve Kyodo ka njoftuar se bashkë me testimin e fundit, Koreja e Veriut ka lëshuar për herë të 8-të raketë që nga fillimi i vitit 2022.