Emre Gürkan Abay
23 Janar 2023•Përditësim: 24 Janar 2023
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov, deklaroi se vendet që dërgojnë armë në Ukrainë do të mbahen përgjegjëse, duke theksuar se vendet evropiane kërcënojnë Berlinin me izolim ndërkombëtar dhe kjo tregon se shqetësimi midis vendeve perëndimore është vazhdimisht në rritje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Peskov në kryeqytetin Moskë vlerësoi dërgesat e mundshme të tankeve të vendeve perëndimore në Ukrainë, veçanërisht të Gjermanisë.
Duke theksuar se vendet në Evropë filluan të fajësojnë njëri-tjetrin për dërgesat e mundshme të tankeve, Peskov tha: "Vendet evropiane, përfshirë Varshavën, kërcënojnë Berlinin me izolim ndërkombëtar. E gjithë kjo tregon se shqetësimi midis anëtarëve të aleancës është vazhdimisht në rritje".
Ai deklaroi se vendet perëndimore janë përgjegjëse për dërgesat e armëve në Ukrainë. "Të gjitha vendet që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me rritjen e nivelit teknologjik të Ukrainës dhe pompimin e armëve janë përgjegjës për këtë situatë", shtoi ai.
Duke thënë se dërgesat e armëve dëmtojnë Ukrainën, Peskov theksoi se "Çështja kryesore është se populli ukrainas do të paguajë çmimin për të gjitha këto veprime dhe të ashtuquajturat mbështetje".