Ekip
11 mars 2021•Përditësim: 11 mars 2021
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, anuloi vizitën e tij të planifikuar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), sipas mediave izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një deklaratë nga zyra e Kryeministrit të Izraelit theksonte: "Pritej që Kryeministri, sot, të vizitonte Emiratet e Bashkuara Arabe, por për shkak të vështirësive që ndodhën në koordinimin e kalimit të fluturimit të tij përmes hapësirës ajrore të Jordanisë, ajo u shty".
Deklarata vuri në dukje se vështirësitë "ishin të dukshme" pas anulimit të vizitës së Princit të Kurorës Jordaneze në Xhaminë Al-Aksa, si rezultat i një mosmarrëveshjeje mbi masat e marra të sigurisë.
"Jordania njoftoi gjatë orës së fundit se do të lejonte kalimin e avionit të kryeministrit përmes hapësirës ajrore të Jordanisë, por për shkak të vonesës së marrjes të këtij njoftimi, Kryeministri Netanyahu dhe Princi i Kurorës i EBA-së, Sheik Mohammed bin Zayed, ranë dakord të caktojnë një datë tjetër të vizitës”, thuhet në deklaratë.
Korporata e Transmetimit Izraelit tha se vendimi i Benjamin Netanyahut ishte për shkak të një problemi shëndetësor që pati gruaja e tij natën e kaluar.
"Gruaja e kryeministrit, Sara Netanyahu, është shtruar në Spitalin Hadassah Ein Kerem në Kuds për shkak të apendesitit", tha korporata të enjten.
Media lokale, duke përfshirë të përditshmen izraelite "Yedioth Ahronoth", thanë se Netanyahu anuloi vizitën e tij për shkak të problemit shëndetësor të gruas së tij.
Sidoqoftë, portali i lajmeve izraelite "Walla" citoi zyrtarët izraelitë të thoshin se Netanyahu anuloi vizitën e tij sepse Jordania nuk lejoi fluturimin e Netanyahut të kalonte mbi hapësirën e tij ajrore.
Më parë, Netanyahu shtyu vizitën e tij në Abu Dhabi disa herë për shkak të kufizimeve të COVID-19 në Izrael.
Në shtator 2020, Izraeli vendosi marrëdhënie zyrtare me EBA dhe Bahreinin si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, veprim ky i cili u ndoq nga Sudani dhe Maroku.