Behlül Çetinkaya
26 Qershor 2020•Përditësim: 27 Qershor 2020
Pakistani është përfshirë në një debat të ashpër për shkak se kryeministri i këtij vendi Imran Khan gjatë një fjalimi në Parlament tha se lideri i organizatës terroriste Al-Kaeda, Osama bin Laden, jetën e ka humbur si shehid, gjegjësisht martir, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të adresimit në Dhomën e Poshtme të Parlamentit, kryeministri Khan ka kritikuar ashpër politikën e jashtme që ka zhvilluar pushteti i kaluar pakistanez.
Duke shprehur kundërshtimin e mbështetjes së Pakistanit për luftën dhe operacionet antiterroriste të nisura nga SHBA në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, Khan tha se Pakistani edhe përkundër kësaj mbështetjeje ka qenë i poshtëruar dhe e konsideroi shkakun e dështimit amerikan në Afganistan.
Khan tha se është i turpshëm operacioni amerikan në të cilin u vra udhëheqësi i terroristëve të Al-Kaedës, Bin Laden, në qytetin pakistanez Abbottabad.
"SHBA-të erdhën në Abbottabad dhe vranë Bin Ladenin, e bënë atë dëshmor. Çfarë ndodhi më pas? "E gjithë bota filloi të na mallkojë dhe të flasë shëmtuar për ne", tha Khan.
Duke theksuar se SHBA-të me dronë kanë kryer operacione në Pakistan pa dijen e këtij vendi, Khan tha se në luftën amerikane kanë vdekur 70 mijë pakistanezë ndërsa diaspora pakistaneze është përballur me nënçmime të mëdha.
“Vendi ynë nuk do të marrë më pjesë në luftën e askujt. Askush nuk na poshtëron më. Presidenti amerikan Donald Trump më shpreh respekt në çdo takim. Ai madje kërkoi ndihmën tonë për të vendosur paqen në Afganistan. Sot, roli i Pakistanit në Afganistan është i lavdërueshëm”, tha Khan.
Kryeministri pakistanez Khan edhe më parë ka shprehur indinjatën për faktin se SHBA-të, si aleate, kryenin operacione në tokën pakistaneze, pa njoftuar autoritetet e këtij vendi.
Përdorimi i termit "shehid" ose "dëshmor" nga Khan për Bin Ladenin ndezi një debat të nxehtë në Pakistan.
Ndër të parët që u ankuan për deklaratën e Khan-it ishte Bilawal Bhutto Zardari, kreu i Partisë Popullore të Pakistanit (PPP), e cila ishte në pushtet në kohën kur u vra Bin Ladeni.
"Deklaratat e Khan-it janë në përputhje me predispozitat e tij të dhunshme dhe ekstremiste", tha Zardari.
Deputeti nga radhët e Partisë më të fortë opozitare të Lidhjes Muslimane-Nawaz (PML-N) dhe ish-ministër i Jashtëm pakistanez Muhamed Asif gjithashtu kundërshtoi deklaratën e kryeministrit Khan.
"Bin Laden ka sjellë terrorizmin në vendin tonë. Si mund ta quaj kryeministri një terrorist kaq të ngurtësuar si shehid?", tha Asif.
Këshilltari i kryeministrit pakistanez, Shahbaz Gill, nga ana tjetër, qëndroi në mbrojtjen e tij dhe tha se Khan gjatë fjalimit të diskutueshëm në dy raste saktësisht ka thënë se Bin Ladeni ishte vrarë. Ai tha se qëndrimi antiterrorist i qeverisë së Khan-it është i njohur në të gjithë botën dhe se qeveria e tij ka bërë më shumë se të tjerët në luftën kundër terrorizmit.