Murat Temizer
23 Mars 2023•Përditësim: 24 Mars 2023
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas lidhur me luftën Rusi-Ukrainë tha se "Rusia duhet të kthehet në kufijtë e saj", transmeton Anadolu.
Kallas bëri vlerësime për gazetarët para Samitit të Liderëve të BE-së i cili mbahet në Bruksel me pjesëmarrjen e krerëve të 27 qeverive ose vendeve anëtare të BE-së.
Ajo tha se është e nevojshme që të ngrihet një gjykatë për krimet e kryera nga Rusia dhe kjo çështje është shtruar edhe më parë në rend dite. "Presim që çështja të diskutohet edhe këtu. Është shenjë e mirë që Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër arrest ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Është vendim i cili tregon se asnjë lider nuk mund të shpëtojë nga krimet që ka kryer", tha Kallas.
Më tej Kallas rikujtoi se është i rëndësishëm zbatimi i çmimit tavan për shkak të të ardhurave të Rusisë nga nafta dhe se është i nevojshëm vazhdimi i sanksioneve pa u dobësuar.
"Në luftën Rusi-Ukrainë ka një fajtor dhe një viktimë. Rusia duhet të kthehet në kufijtë e saj", tha Kallas duke shtuar se ndihmat ndaj Ukrainës duhet të vazhdojnë me shpejtësi. "Është e rëndësishme të dërgojmë armë dhe municione në Ukrainë, por edhe të mbajmë stoqet tona plot", tha kryeministrja estoneze.
Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins tha se i bashkohet çështjes për të mbështetur Ukrainën dhe se ajo ka nevojë për miliona municione.
Ai tërhoqi vëmendjen mbi kapacitetin prodhues të industrisë së Evropës. Karisn theksoi se ka nevojë të rritet prodhimi dhe se duhet të kenë prodhim të armëve dhe municioneve që të jenë të mjaftueshëm për veten e tyre dhe për Ukrainën.
Sipas tij, zhvillimet e përjetuara në botë nuk i lehtësojnë punët për vendet. "Punët vështirësohen edhe më shumë. Kina ka forcuar një lloj marrëdhënieje me Rusinë. Marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së largohen gjithnjë e me shumë nga njëra-tjetra. Është e nevojshme që Evropa të gjejë bazat e saj. Duhet të vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën. Duhet të bëjmë investime në industrinë tonë të armëve", potencoi Karins.
Lidhur me pyetjen për varësinë e Letonisë ndaj burimeve të jashtme në energji, Karins tha: "Aktualisht marrim gaz të lëngshëm natyror, por do të ndjekim një politikë më agresive për përdorimin më aktiv të energjisë së rinovueshme dhe centraleve me erë mbi det. Kemi nevojë për zhvillimin e teknologjive të hidrogjenit. E ardhmja afatgjate është në energjinë e gjelbër".