Ekip
25 Mars 2017•Përditësim: 26 Mars 2017
BERLIN (AA) –Komisionerja evropiane për Transportin, Violeta Bulc, ka bërë thirrje për vendosjen e një sistemi të përbashkët për pagesën e rrugëve, e cila do t'u mundësonte shoferëve të shfrytëzojnë të gjitha rrugët evropiane pa u ndalur në kufijtë shtetëror, raporton Anadolu Agency (AA).
Shumë shtete të Bashkimit Evropian kanë sisteme të autostradave, por të njëjtat janë të ndara dhe punojnë në mënyrë të pavarur dhe të ndryshme.
Në një deklaratë për mediat gjermane të shtunën, Bulc tha se në muajin maj, do të shpalos propozimin e saj për vendosjen të një sistemi të unifikuar për pagesat rrugore anembanë Evropës.
Ajo tha më tej se secili shtet mund të vendos nëse dëshiron të ngarkojë shoferët me pagesë të rrugëve, por ato të cilat do të vendosin pozitivisht do të duhet të marrin pjesë në sistemin e standardizuar elektronik.
Sipas saj, paratë do të mblidheshin përmes sistemit të parapagesës ose pagesës mujore, ndërsa mjetet do të shkonin në kontot e shteteve pjesëmarrëse.
Pritjet e Bulc janë që arritja e një marrëveshjeje eventuale për këtë çështje të realizohet deri në vitin 2019.