Mohammad Sio
26 qershor 2026•Përditësim: 26 qershor 2026
Një tërheqje e plotë e Izraelit nga i gjithë territori i Libanit duhet të përfshihet në çdo "deklaratë parimesh" që mund të dalë nga negociatat në vazhdim në Washington, tha sot një zyrtar i lartë libanez, raporton Anadolu.
Duke folur për Anadolu në kushte anonimiteti, zyrtari tha se delegacioni libanez mbetet i përkushtuar për të siguruar tërheqje të plotë të Izraelit nga jugu i Libanit sipas një afati të përcaktuar kohor.
"Këmbëngulja për tërheqje të plotë të Izraeli nga territori libanez sipas një afati kohor dhe respektimi i Libanit në këtë qëndrim, çoi në zgjatjen e negociatave me një ditë shtesë", tha burimi.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi sot se raundi i pestë i bisedimeve Liban-Izrael është zgjatur me një ditë pasi fillimisht ishte planifikuar të përfundonte të enjten.
Zyrtari libanez thekson se "tërheqja nga i gjithë territori libanez duhet të jetë element themelor i deklaratës së parimeve nëse arrihet". Duke adresuar propozimet që përfshijnë zona "model" ose "pilot", burimi tha se Libani po kërkon përcaktim të saktë të zonave nga të cilat forcat izraelite do të tërhiqen.
Ai shpjegoi se Libani përcakton se këto zona duhet të jenë "brenda vijës së verdhë që ushtria libaneze të hyjë dhe jo zona ku izraelitët nuk janë të pranishëm". "Linja e Verdhë" është një linjë jozyrtare që shtrihet afërsisht 8 kilometra brenda territorit libanez nga kufiri.
Izraeli refuzon të tërhiqet nga zonat brenda "Vijës së Verdhë" dhe këmbëngul të ruajë praninë e tij në pozicionin e Kalasë Beaufort (Qalaat al-Shaqif) në jug të Libanit.
Izraeli vazhdon të pushtojë pjesë të Libanit jugor, disa prej dekadash dhe të tjera të pushtuara gjatë luftës së viteve 2023-2024. Që nga 2 marsi 2026, agresionet izraelite në Liban kanë vrarë 4.230 njerëz dhe kanë plagosur 12.179 të tjerë ndërsa kanë zhvendosur mbi një milion njerëz, thonë shifrat zyrtare libaneze.