Velid Abdullah ,Zeynep Tüfekçi
22 maj 2019•Përditësim: 22 maj 2019
Forcat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) në Libi kanë sulmuar forcat e komandantit të njësive lindore Khalifa Haftar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Muhamed Kanunu, zëdhënës i forcave të GNA-së, tha në një kumtesë se avionët luftarakë kanë ndërmarrë gjashtë sulme ajrore ndaj pikave të forcave të Haftarit në qytetin Garyan
Në kumtesë thuhet se në shënjestër ka qenë transportimi i municioneve dhe pajisjeve të trupave të Haftarit.
Nga ana tjetër, Haftar, lider i forcave të lidhura me qeverinë në lindje të Libisë, ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me sulmet.
Ndërkohë, në veri të kryeqytetit Tripoli kanë shpërthyer luftime me armë të rënda midis palëve, edhe pse, siç thuhet, asnjëra palë nuk ka arritur të avancojë.
Haftar ka hyrë në shumë qytete në perëndim të vendit pa luftë, përfshirë qytetet Sabratam, Surman dhe Garyan. Propagandat, ofertat tërheqëse ekonomike dhe rrënimi i rendit publik kanë bërë që shumë grupe të armatosura të mbështesin forcat e Haftarit.
Ndryshe, përleshjet në Libi kanë vazhduar nga 4 prilli, kur Khalifa Haftar dha urdhrin për nisjen e një ofensive ushtarake për të pushtuar kryeqytetin Tripoli, ku gjendet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB-ja.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.