Ekip
24 Shtator 2020•Përditësim: 25 Shtator 2020
Ambasadori i Libisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Taher El-Sonni deklaroi se populli i Libisë është i lodhur nga zgjidhjet e përkohshme dhe se shpreson përfundimin sa më të shpejtë të konfliktit, mbajtjen e zgjedhjeve dhe zgjidhjen e përhershme në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori El-Sonni mbrëmë vonë në margjinat e mbledhjes së 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
"Pavarësisht zgjidhjeve dhe nismave të propozuara, libianët janë lodhur nga fazat e përkohshme dhe ata kërkojnë zgjidhje që çojnë në një kushtetutë të përhershme dhe zgjedhje gjithashtu", tha ambasadori Taher El-Sonni.
Ai gjithashtu paraqiti një propozim për pajtimin kombëtar dhe drejtësinë tranzicionale në koordinim me Unionin Afrikan.
Nga ana tjetër, Guterres theksoi gatishmërinë e tij për të mbështetur procesin politik dhe stabilitetin e Libisë dhe përpjekjen për të shpejtuar emërimin e të dërguarit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm në Libi (pasardhës të Ghassan Salame, i cili dha dorëheqje për shkak të arsyeve shëndetësore).
Libia është e shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sunduesit të ndjerë, Muammar Gaddafi në vitin 2011.