Esra Taşkın
15 maj 2023•Përditësim: 15 maj 2023
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zeleneskyy u takuan në Paris, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga pallati Elysee lidhur me takimin Macron-Zeleneskyy që zgjati 3 orë në Paris, thuhet se dy liderët kanë dënuar luftën Ukrainë-Rusi.
"Rusia duhet të tërheqë menjëherë dhe pa kushte forcat e saj ushtarake nga territoret e Ukrainës", thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se Franca dhe Ukraina i bëjnë thirrje Rusisë që të tërhiqet edhe nga centrali bërthamor Zaporizhzhia.
Më tej nënvizohet se Franca është e angazhuar për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Qeveria e Parisit do të vazhdojë mbështetjen e saj politike, financiare, humanitare dhe ushtarake për Ukrainën sa të jetë e nevojshme thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se Franca në javët e ardhshme do të trajnojë shumë batalione, se këto do t'i pajisë me dhjetëra automjete të blinduara dhe tanke të lehta dhe se në mesin e tankeve në fjalë do të përfshihen edhe tanket e lehta luftarake të llojit AMX 10-RC.
Më tej tërhiqet vëmendja se përpjekjet e qeverisë franceze janë fokusuar në "mbështetjen e kapacitetit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës". Njoftohet se Franca më parë i ka dërguar Ukrainës 2 laboratorë të ADN-së dhe ka mbështetur planin e Ukrainës për paqe.
"Ukraina dhe Franca bëjnë thirrje për sanksione të reja ndaj Rusisë. Franca potencon rëndësinë e përpjekjeve të Ukrainës për të vazhduar Iniciativën e Drithit në Detin e Zi", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu theksohet se e ardhmja e Ukrainës dhe popullit të saj është nën strukturën e familjes evropiane dhe se Franca mbështet Komisionin NATO-Ukrainë.