İdris Sülün
19 Tetor 2022•Përditësim: 19 Tetor 2022
Ministria e Brendshme e Malajzisë po heton pretendimin se shërbimi i inteligjencës së jashtme izraelite "Mossad" qëndron pas rrëmbimit të një palestinezi në kryeqytetin Kuala Lumpur muajin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Brendshëm malajzian, Hamzah Zainudin në një deklaratë tha se ministria do të ndërmarrë veprime nëse është i vërtetë pretendimi se agjentët e "Mossad"-it kanë hyrë në Malajzi.
Duke thënë se hyrja e të huajve në vend monitorohet vazhdimisht dhe do të ndërmerren veprime ndaj atyre që nuk kanë dokumente të vlefshme, Zainudin tha: "Nëse mendojmë se ata duhet të ndalohen, do të veprojmë në përputhje me rrethanat".
- Ngjarja
Sipas "New Straits Times", agjentët e "Mossad"-it kishin caktuar 4 malajzianë për të gjetur dhe rrëmbyer 2 palestinezë për të cilët ata besonin se ishin të lidhur me krahun e armatosur të Hamasit, Brigadën Izz ad-Din al-Qassam.
Në incidentin që ndodhi më 28 shtator, malajzianët që punonin për "Mossad"-in ndaluan automjetin e programuesve palestinezë të softuerit dhe rrëmbyen një person ndërsa personi tjetër në automjet njoftoi stacionin e policisë Dang Wangi për rastin.
Palestinez i rrëmbyer u soll në një shtëpi malore në rajon dhe u rrah për 24 orë nga malajzianët dhe u mor në pyetje. Ndërkohë, policia kishte mbërritur në shtëpinë malore ku sulmuesit po mbanin palestinezin dhe e kishin shpëtuar këtë person me bastisjen që kishin kryer.
Sipas informacionit nga kanali arab Al Jazeera, "Mossad" përdori personelin malajzian të trajnuar në Evropë për të kryer operacionin në fjalë dhe caktoi të paktën 11 malajzianë për të ndjekur palestinezët në vend.
Fadi al-Batsh, një inxhinier palestinez që jetonte në Malajzi, më 21 prill 2018 u vra në një sulm të armatosur në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.
Pretendohet se "Mossad"-i qëndronte pas vrasjes së Batshit, i cili njihet për kërkimet e tij mbi mjetet ajrore pa pilot.