Ahmet Emin Dönmez
26 dhjetor 2021•Përditësim: 26 dhjetor 2021
Qeveria e Malit ka hedhur poshtë pretendimet se grupi Wagner i ushtarëve mercenarë rusë janë vendosur në kryeqytetin Bamako, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar në median kombëtare me nënshkrimin e Abdoulaye Maiga, zëdhënësit të qeverisë thuhet se hidhen poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se në Mali janë vendosur mercenarë rusë.
"Pretendimet janë të pabaza dhe ato duhet të dëshmohen nga burime të pavarura", thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se në Mali ndodhen trajnues rusë për të forcuar kapacitetet operacionale të forcave të mbrojtjes kombëtare dhe të sigurisë.
Gjithashtu theksohet se qeveria e Malit bashkëpunon vetëm me Federatën Ruse që ka partneritet historik dhe se nuk kanë marrëdhënie me asnjë kompani private të sigurisë.
Vendet perëndimore në një deklaratë me shkrim ditë më parë reaguan ndaj vendosjes së ushtarëve të Grupit Wagner në Mali.
Në deklaratë thuhej se vendosja e trupave në Mali mund të përkeqësojë edhe më tej situatën e sigurisë në Afrikën Perëndimore dhe mund të shkaktojë viktimizime për të drejtat e njeriut. "Si partnerë ndërkombëtarë që jemi angazhuar për të mbështetur popullin e Malit në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet e tij për të arritur paqe dhe stabilitet të vazhdueshëm, ne dënojmë ashpër vendosjen e mercenarëve në territorin e Malit", thuhet në deklaratë.
Në Sahel mund të fillojë periudha Wagner
Me përfundimin e Operacionit Barkhane ku ishin të përfshirë rreth 5 mijë ushtarë, thuhet se Grupi rus Wagner mund të jetë faktori kryesor në zgjidhjen e krizës së sigurisë në Sahel.
Ushtarët mercenarë të Wagner-it në vendet ku vendosen, trajnojnë ushtritë lokale të vendeve, mbrojnë figura të rëndësishme, luftojnë me grupet kryengritëse ose terroriste dhe ofrojnë sigurinë e minierave të arit, diamanteve dhe uraniumit në pikat e nxehta.
Mercenarët rusë besohet se veprojnë në Libi, Republikën e Afrikës Qendrore, Sudan, Mozambik, Guine, Gineja Bissau, Madagaskar, Zimbabve dhe Angola.