Ayhan Şimşek
01 nëntor 2026•Përditësim: 01 nëntor 2026
Policia gjermane ka arrestuar më shumë se 200 persona të shtunën në mbrëmje, pas shpërthimit të përleshjeve të dhunshme në disa qytete, pas protestave kryesisht paqësore të Gjeneratës Z, të cilat kërkonin financim më të madh për arsimin dhe politika më të mira sociale, transmeton Anadolu.
Trazirat shpërthyen në Hamburg, Frankfurt dhe Berlin, pasi grupe radikale organizuan demonstrata më të vogla, ngritën barrikada dhe u përleshën me policinë.
Protestat kryesore gjatë ditës, të organizuara nga nisma “Gen Z Regelt” në më shumë se 30 qytete, mblodhën dhjetëra mijëra të rinj, të cilët kërkuan rritjen e financimit për arsimin, lehtësimin e barrës nga rritja e kostos së jetesës dhe kundërshtuan planet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Pas rënies së natës, grupe radikale organizuan demonstrata më të vogla në pjesë të tjera të qyteteve, duke ngritur barrikada, ndërsa situata u përshkallëzua pasi policia ndërhyri për t'i vënë nën kontroll.
Disa aktivistë hodhën gurë, shishe dhe mjete piroteknike në drejtim të policëve, të cilët në disa lokacione u kundërpërgjigjën me topa uji dhe njësi speciale.
– Armë të vjedhura gjatë trazirave në Frankfurt
Në Frankfurt, grupe të maskuara, që nuk ishin pjesë e protestave kryesore të Gjeneratës Z, thyen vitrinat e dyqaneve dhe plaçkitën biznese, përfshirë një dyqan armësh.
Policia tha se grupet thyen xhamat e dyqanit dhe vodhën të paktën dy armë zjarri, para se të ndërhynin zyrtarët policorë.
Sipas policisë, një i dyshuar u arrestua dhe armët e vjedhura u gjetën.
Gjithashtu, një automjet policie u dëmtua, pasi iu thyen xhamat dhe iu shpuan gomat.
Autoritetet raportuan më shumë se 30 ndalime të përkohshme dhe dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa trazirat vazhduan deri në orët e para të së dielës.
– 120 të ndaluar dhe 11 policë të lënduar në Hamburg
Në Hamburg, dhuna shpërtheu pasi demonstrata kryesore përfundoi rreth orës 17:00 sipas kohës lokale të shtunën, bëri të ditur policia.
Autoritetet ndaluan 120 persona pasi protestues të veshur me të zeza dhe pjesërisht të maskuar ngritën barrikada të përfshira nga flakët pranë stacionit qendror të autobusëve.
Sipas policisë, grupet hodhën gurë, shishe dhe mjete piroteknike në drejtim të policëve, duke lënduar 11 prej tyre.
Zjarre të vogla dhe incidente vazhduan gjatë natës në lagjet lindore të qytetit.
– 56 të ndaluar gjatë përleshjeve në Berlin
Policia në Berlin ndaloi përkohësisht deri në 56 persona gjatë një demonstrate në mbrëmje në lagjen Mitte, e ndarë nga tubimi i mëhershëm paqësor pranë Portës së Brandenburgut.
Policia raportoi se 27 zyrtarë policorë pësuan lëndime të lehta pasi protestuesit hodhën gurë, shishe, vezë dhe mjete piroteknike.
Demonstruesit bllokuan gjithashtu një tramvaj, duke bërë që autoritetet të ndërprisnin marshimin para se të arrinte në destinacionin e planifikuar.
Në Këln, policia ndaloi të paktën pesë persona pasi grupe më të vogla u përleshën me zyrtarët policorë pranë katedrales së qytetit, duke hedhur shishe dhe mjete piroteknike.
Shefi i Policisë së Këlnit, Johannes Hermanns, dënoi dhunën, duke thënë se ekstremistët i kishin penguar demonstratat paqësore.
“Është e trishtueshme që të rinjtë, të cilët dëshironin të protestonin në mënyrë paqësore për të ardhmen e tyre, u infiltruan nga ekstremistë që kishin në mendje vetëm dhunën”, tha Hermanns.
Ai falënderoi pjesëmarrësit që ruajtën karakterin paqësor të protestave dhe u distancuan nga dhuna.
Deri në orët e para të së dielës, situata ishte qetësuar kryesisht në qytetet e prekura, ndërsa policia vazhdoi hetimet për incidentet dhe vlerësimin e dëmeve materiale.