Ekip
07 Qershor 2021•Përditësim: 07 Qershor 2021
Meksikanët iu drejtuan qendrave të votimit të dielën për të hedhur votat e tyre në zgjedhjet e mesmandatit të vendit, ndërsa rezultatet paraprake si fitues e tregojnë partinë Morena të presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, raporton Anadolu Agency (AA).
Deri më tani, autoritetet zgjedhore kanë numëruar gjithsej 10.548.094 vota, nga të cilat partia në pushtet Morena ka 35 për qind ose 3.710.880. Ata po udhëheqin në Dhomën e ulët të Përfaqësuesve dhe tetë shtete, siç raportohet nga presidenti i partisë, Mario Delgado.
"Informacionet që kemi na tregojnë se kemi shumicën në Dhomën e Deputetëve. Ne konfirmojmë që Morena është edhe një herë forca kryesore politike në vend. Absolutisht është e qartë se në Meksikë, kemi fituar shumicën", tha Delgado.
Partitë politike të opozitës, Partia e Veprimit Kombëtar (PAN) dhe Partia Revolucionare Institucionale (PRI), janë përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.
Sipas sondazheve dalëse nga media si gazeta "El Financiero", votuesit janë të prirur drejt partisë Morena dhe aleatëve të saj, me 47 për qind të preferencës, në kontrast me grupin e opozitës të përbërë nga PRI, PAN dhe Partia e Revolucionit Demokratik (PRD), për të cilin janë përcaktuar 44 për qind.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, të cilat konsiderohen si më të rëndësishmet në historinë e vendit, do të përcaktojë strukturën politike të vendit për tre vitet e mbetura të administratës së presidentit Lopez Obrador.