Erbil Başay
14 Mars 2018•Përditësim: 14 Mars 2018
BERLIN (AA) - Kryetarja e Unionit Kristian Demokrat (CDU), Angela Merkel është rizgjedhur kancelare e Gjermanisë në një votim në Kuvendin Federal të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas viteve 2005, 2009 dhe 2013, Merkel sot mori detyrën e kancelares për herë të katërt me radhë.
Në votimin e fshehur të mbajtur në Kuvendin Federal të mbledhur nën kryesimin e Wolfgang Schaeuble, Merkel mori votën e 364 deputetëve nga gjithsej 692 që morën pjesë në votim.
Në votim, 315 deputetë shfrytëzuan votën kundër, nëntë abstenuan ndërsa katër vota u shpallën si të pavlefshme.
Votimi nga tribuna u ndoq edhe nga bashkëshorti i Merkelit, Joachim Sauer dhe nëna e saj 89-vjeçare Herlind Kasner.
Merkel, e cila ishte bërë kancelarja e parë grua në histori të vendit pas zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2005, është duke ushtruar detyrën e kancelares tanimë 12 vite e gjysmë.
Pas votimit në Kuvendin Federal, Merkel është drejtuar në Pallatin Bellevue për të marrë mandatin nga ana e presidentit Frank-Walter Steinmeier, pas së cilës do të kthehet në Parlament për të dhënë betimin.
Më pas, Merkel së bashku me anëtarët e rinj të kabinetit sërish do të shkojnë te Steinmeier për të marrë mandatet dhe do të kthehen në Parlament, ku ministrat po ashtu do të japin betimin për të filluar detyrën zyrtarisht.