Enes Canlı
30 qershor 2020•Përditësim: 01 korrik 2020
Ministri i Punëve të Jashtme të Libisë, Mohamed Taher Siala pas deklaratës së presidenti francez, Emmanuel Macron se vendi i tij nuk mbështet Khalifa Haftarin tha se "Kanë shpresuar që ta dëgjojnë Macron-in të refuzojë këtë sulm gjatë 14 muajve që Haftari sulmoi kryeqytetin", transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Siala në një deklaratë me shkrim në llogarinë e medias sociale të ministrisë iu kundërpërgjigj deklaratave të Macron-it se Franca nuk ka mbështetur Haftarin, liderin e forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë dhe se nuk ka përgjegjësi për sulmin e Haftarit kundër Tripolit.
"Ne këtë deklaratë të presidentit Macron që refuzon sulmet e kemi pritur që prej 14 muajsh pra që kur Haftari filloi sulmet kundër kryeqytetit. Deklaratat e Macron-it erdhën me shumë vonesë. Sikur kjo të bëhej në fillim të sulmit reflektimet në terren do të ishin ndryshe", tha ministri Siala.
Lideri puçist në Libi, Khalifa Haftar e futi vendin e tij në spiralen e dhunës pasi ai më 4 prill 2019 u dha milicëve të tij urdhër për sulm dhe për të marrë nën kontroll me forcën e armës kryeqytetin Tripoli.
Milicët e Haftarit deri në qershor 2020 vazhduan pandërprerë sulmet e tyre kundër kryeqytetit. Ushtria e Libisë çliroi plotësisht kufijtë administrativ të Tripolit më 4 qershor dhe menjëherë një ditë më pas çliroi rajonin Tarhuna të cilin milicët e Haftarit e përdornin si qendër operacionale dhe furnizimi.
Qeveria e Libisë akuzon disa vende kryesisht Francën, Rusinë, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për mbështetje të "fshehtë dhe të hapur" ndaj Haftarit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dje në një konferencë për media pas vizitës që zhvilloi në Gjermani pretendoi se Franca nuk mbështet Haftarin.
Duke mbrojtur idenë se roli i Francës është gjetja e një zgjidhjeje politike atje dhe të kontribuojë për këtë, Macron tha: "Tani nëse Haftari vendosi të ndërmarrë një operacion ushtarak në prill 2019 ai këtë nuk e ka bërë duke u dakorduar me Francën".