Ekip
08 Qershor 2020•Përditësim: 08 Qershor 2020
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se vendet anëtare të organizatës duhet të përdorin aleancën në një mënyrë më shumë politike deri në vitin 2030, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komentet e shefit të NATO-s erdhën në një fjalim me rastin e nisjes së projektit NATO2030. Më herët, Stoltenberg zhvilloi takim me një grup ekspertësh të angazhuar për pasqyrimin e të ardhmes së aleancës ushtarake.
Stoltenberg shpjegoi se qëllimi i projektit është "të mos e ndryshojë NATO-n, por ta bëjë atë edhe më të fuqishme në aspektin ushtarak dhe politik", që të jetë në gjendje të "trajtojë sfidat e të nesërmes".
Ai shtoi se siç është rënë dakord nga udhëheqësit e NATO-s në muajin dhjetor, procesi i reflektimit duhet të formojë dimensionin politik të NATO-s.
"Aleanca duhet të jetë më e bashkuar politikisht dhe e aftë të sjellë më shumë tema politike në tryezën e bisedimeve", tha Stoltenberg, duke bërë thirrje për guxim në "vendime dhe veprim nëse është e nevojshme për sigurinë e përbashkët".
Si sfidat më të mëdha me të cilat NATO do të duhet të përballet në dekadën e ardhshme, Stoltenberg përmendi veprimtarinë e vazhdueshme ushtarake të Rusisë, kërcënimin e terrorit të DEASH-it, si dhe dezinformatat dhe fushatat propaganduese të aktorëve shtetëror dhe jo-shtetëror.
Ai po ashtu pranoi se "Kina po ndryshon garën globale të fuqisë", por insistoi se aleanca Kinën nuk e sheh si armike.
Më tej, ai paralajmëroi vendet anëtare që "t'i rezistojnë joshjes së zgjidhjeve kombëtare" dhe theksoi se të vetme as Evropa, as Amerika, nuk u përballën me këto sfida.
Stoltenberg po ashtu përshëndeti përpjekjet e Bashkimit Evropian (BE) për një politikë më të fuqishme të sigurisë, por shprehu bindje se "BE në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë NATO-n".
Grupi i ekspertëve do të ofrojë rekomandime për të forcuar unitetin e NATO-s dhe për të rritur koordinimin politik midis aleatëve.
Grupi i përbërë nga dhjetë ekspertë bashkë-kryesohet nga ish-ministri gjerman i brendshëm, Thomas de Maiziere dhe ish-ndihmës sekretari i shtetit amerikan për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Wess Mitchell.