Ali H. M.Abo Rezeg
16 Shkurt 2019•Përditësim: 17 Shkurt 2019
GAZA (AA) - Ish-predikuesi i Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, Sheik Mohammed Siam, ka vdekur nga një sulm në tru në Sudan, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Siam ka vdekur në një spital në Sudan", tha grupi palestinez i rezistencës Hamas në një deklaratë.
"Sheik Siam ishte një udhëheqës i madh palestinez, një dijetar i madh, shkrimtar arab dhe simbol i popullit palestinez", thuhet më tej.
Siam, ish-rektor i Universitetit Islam të Gazës, u deportua nga autoritetet izraelite në vitin 1988 në Sudan me pretendimin për hartim të deklaratave të Hamasit dhe anëtarësim në grup.
Në vitin 1994, ai u largua nga Sudani në Jemen, ku shërbeu si president i Lidhjes Palestineze dhe përfaqësues i Hamasit. Ai gjithashtu shërbeu si dekan i Institutit Abdullah al-Ahmar për Studime të Kudsit në Jemen.
Pas shpërthimit të konfliktit të Jemenit në vitin 2014, Siam u kthye në Sudan, ku qëndroi derisa ndërroi jetë të premten.
Përveç që ishte predikues dhe shkrimtar, Siam konsiderohej si një nga poetët më të njohur palestinezë.