Sena Güler
13 Shkurt 2019•Përditësim: 13 Shkurt 2019
KUDS (AA) – Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi mbrëmë se forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme të ashpra në jug të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pak para udhëtimit të tij për në Poloni, ku do të marrë pjesë në Konferencën për Lindjen e Mesme, kryeministri izraelit Netanyahu mbrëmë iu drejtua gazetarëve në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv.
Ai tha se konferenca në Varshavë është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm ndërkombëtar dhe se Irani është tema kryesore e takimit.
"Vazhdimisht punojmë për të bllokuar Iranin. Çdo ditë kryejmë operacione, përfshirë edhe sulmet e djeshme që kemi ndërmarrë për të parandaluar shtrirjen e interesave iraniane në rajon", tha Netanyahu, duke konfirmuar në këtë mënyrë se sulmet e djeshme ajrore në jug të Sirisë i kanë kryer avionët izraelitë.
Burimet lokale më parë raportuan se objektiv i sulmit në Quneitra ishin pozicionet e Hezbollahut, organizatë kjo e cila bashkëpunon ngushtë me Iranin dhe mbështet regjimin e Bashar al-Assadit.
Institucionet izraelite thuajse asnjëherë nuk i zbulojnë detajet e sulmeve në Siri.