Mustafa Deveci
20 Gusht 2020•Përditësim: 20 Gusht 2020
Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu tha se dëshiron që këtë vit t’i vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), me të cilat Izraeli arriti një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një telekonferencë me figurat e shquara të komunitetit hebre që jeton në EBA, Netanyahu tha se marrëveshja e arritur midis Izraelit dhe EBA-së është jo vetëm për të mirën e dy vendeve, por edhe për të mirën e vendeve të rajonit.
“Unë dua t'ju vizitoj sa më shpejt këtë vit. Nëse e tejkalojmë pandeminë e koronavirusit, do të shtrëngojmë edhe duart”, tha kryeministri izraelit.
Më 13 gusht, Izraeli dhe EBA njoftuan vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA, e cila ka shkaktuar që shteti hebre të shtyjë planet për aneksimin e tokave të pushtuara ilegalisht në Bregun Perëndimor që kërkohen nga palestinezët për shtetin e tyre të ardhshëm.
Grupet palestineze kanë denoncuar marrëveshjen e normalizimit, duke thënë se kjo nuk i shërben aspak çështjes palestineze dhe injoron të drejtat e palestinezëve.