Ayhan Şimşek
04 Nëntor 2025•Përditësim: 04 Nëntor 2025
Ministri i Jashtëm nigerian, Yusuf Tuggar, hodhi poshtë të martën pretendimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se qeveria e Nigerisë po lejonte persekutimin dhe vrasjen e të krishterëve, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për shtyp në Berlin, Tuggar paraqiti një dokument që përshkruante garancitë kushtetuese të Nigerisë për lirinë fetare, duke theksuar se qeveria është e detyruar me ligj të mbrojë të gjithë qytetarët.
"Është e pamundur që të ketë persekutim fetar që mund të mbështetet në çfarëdo mënyre apo forme nga qeveria e Nigerisë. Në çdo nivel - qoftë federal, qoftë rajonal, qoftë lokal - është e pamundur", tha ai.
Diplomati më i lartë i Nigerisë paralajmëroi gjithashtu kundër përpjekjeve për të destabilizuar vendin e tij pas kërcënimeve të fundit nga Presidenti i SHBA-së, Trump, për të nisur një ndërhyrje ushtarake nëse qeveria nuk arrin të mbrojë në mënyrë adekuate të krishterët.
"Ajo që po përpiqemi është t'ia bëjmë botës të kuptojë se nuk duhet të krijojmë një Sudan tjetër", tha Tuggar. "Kemi parë çfarë ka ndodhur me Sudanin, me agjitacione për ndarjen e Sudanit bazuar në fe, bazuar në ndjenja fisnore", tha ai.
Të shtunën, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se nëse qeveria nigeriane "vazhdon të lejojë vrasjen e të krishterëve", Washingtoni do të ndërpresë menjëherë të gjitha ndihmat. Ai kërcënoi se SHBA-ja mund të "hyjë "me armë zjarri" në atë vend "tani të turpëruar".
Komentet e Trumpit i bëjnë jehojnë retorikës së ligjvënësve të krahut të djathtë që i portretizojnë konfliktet e dhunshme të Nigerisë si sulme ndaj të krishterëve. Shumica e ekspertëve thonë se kjo e thjeshtëson situatën, pasi konflikti buron nga faktorë të shumtë përtej fesë.
Nigeria ka afërsisht 220 milionë banorë. Rreth gjysma e popullsisë është myslimane, 45 për qind e krishterë dhe pjesa tjetër ndjek besimet tradicionale.