Sorwar Alam
09 Janar 2017•Përditësim: 09 Janar 2017
MOSUL (AA) – Në tre ditët e fundit, qyteti i Mosulit është braktisur nga 4.500 banorë të tij të cilët janë larguar në vazhdën e nisjes së fazës së dytë të operacionit të trupave qeveritare për rimarrjen e qytetit nga terroristët e DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Iyad Rafid nga Gjysmë Hëna e Kuqe e Irakut deklaroi për AA se civilët e larguar nga jugu dhe lindja e Mosulit janë akomoduar në kampet e ndërtuara nga Ministria irakiane për të Zhvendosurit dhe Emigracion në bashkëpunim me organizatat humanitare nga vendi dhe jashtë.
“1.500 civilë janë vendosur në kampin për refugjatë në Hazir dhe 3.000 të tjerë në kampin Al-Jad'ah”, në dalje të Mosulit”, tha ai.
Ushtria e Irakut, e mbështetur nga forcat e koalicionit të kryesuar nga SHBA-të dhe aleatët lokalë në terren, aktualisht është e angazhuar në një ofensivë të madhe që synon nxjerrjen e DEASH-it nga Mosuli, i cili u pushtua nga grupi terrorist në mes të vitit 2014.
Pavarësisht nga parashikimet e para se qyteti do të çlirohet plotësisht deri në fund të vitit, kryeministri irakian Haidar al-Abadi javën e kaluar tha se të paktën tre muaj do të nevojiten për pastrimi e plotë të Irakut nga DEASH-i.