Muhammet İkbal Arslan
18 Gusht 2023•Përditësim: 19 Gusht 2023
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përditësoi si "variant nën vëzhgim" statusin e variantit "BA.2.86" të COVID-19, për shkak të numrit të madh të mutacioneve që ai mbart, transmeton Anadolu.
OBSH-ja ka bërë një deklaratë me shkrim lidhur me variantin "BA.2.86" të COVID-19.
"Për shkak të numrit të madh të mutacioneve që mbart, OBSH-ja përcaktoi sot variantin BA.2.86 të COVID-19 si ‘variant nën vëzhgim‘. Deri më tani vetëm disa raste të variantit janë raportuar nga disa vende", thuhet në deklaratë.
Për të kuptuar këtë variant dhe përmasat e përhapjes së tij ka nevojë për më shumë të dhëna, por numri i mutacioneve tërheq vëmendje, njoftohet në deklaratë, ku thuhet se "OBSH-ja do të përditësojë vendet dhe popullatën, ndërkohë që mëson më shumë".
Gjithashtu theksohet se OBSH-ja aktualisht po ndjek 3 variante "që duhet të ndiqen" dhe 7 "nën vëzhgim" të COVID-19.
Në deklaratë rikujtohet se COVID-19 vazhdon të përhapet dhe të pësojë mutacion, si dhe përsëritet thirrja që OBSH-ja i ka bërë vendeve për të monitoruar dhe raportuar më mirë COVID-19.
Rritje e qëndrueshme në përhapjen e Erisit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 9 gusht publikoi një raport lidhur me variantin Eris.
Sipas raportit, ka pasur rritje të qëndrueshme në përhapjen e Erisit, i cili më parë ishte një "variant nën vëzhgim" dhe statusi i të cilit u ndryshua në "variant që duhet të ndiqet". Që nga 7 gushti, janë ndarë mbi 7 mijë mostra nga 51 vende.
Bazuar në provat aktuale, rreziku i shëndetit publik që përbën Eris u vlerësua si "i ulët në nivel global", i ngjashëm me rrezikun e varianteve të tjera ekzistuese të COVID-19.
Gjithashtu u theksua se Eris në varësi të karakteristikave të tij mund të përhapet globalisht dhe mund të shkaktojë rritje të rasteve.