Umar Farooq
23 Gusht 2018•Përditësim: 23 Gusht 2018
WASHINGTON (AA) - Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Stephen Dujarric, ka bërë thirrje për “qasje efektive” për organizatat e ndihmës humanitare për të hyrë në shtetin Rakhinë të Mianmarit, ku mijëra muslimanë Rohingya u përballën me persekutim nga forcat e sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Progresi i konsiderueshëm është i nevojshëm urgjentisht në dhënien e një qasjeje efektive për organizatat e ndihmës dhe adresimin e shkaqeve kryesore të krizës, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe një rrugë drejt qytetarisë për të gjitha komunitetet”, tha Dujarric, zëdhënës i shefit të OKB, Antonio Guterres, në një konferencë për media pasi të shtunën do të shënohet përvjetori i parë i dhunës në Mianmar.
Dujarric tha se qasja humanitare në veri të Rakhinës ishte tejet e kufizuar ashpër, me çka mohohet mbështetja për shpëtimin e jetës për ata në nevojë. Ai shtoi se OKB-ja ishte “e gatshme të shkonte atje ku kanë qasje efektive, por kjo ende nuk është mundësuar nga qeveria”.
Sipas tij, OKB-ja është “thellësisht e brengosur” për situatën në Rakhinë, ku rreth 660 mijë persona janë në nevojë në të gjithë shtetin Rakhinë, përfshirë 176 mijë në Rakhinën e veriut.
Ai theksoi se shumica e organizatave të ndihmës që kanë punuar në pjesën veriore të Rakhinës për vite nuk kanë qenë ende në gjendje të rifillojnë programet dhe shërbimet për komunitetin Rohingya.
“Ne vazhdojmë të marrim raporte për dhunë. Më shumë se 11 mijë refugjatë të rinj mbërritën në Bangladesh në mes të janarit dhe qershorit të këtij viti”, shtoi ai.
Sipas Amnesty International, që nga 25 gushti i vitit 2017, më shumë se 750 mijë refugjatë, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman.
Një raport i ri nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit Ontario theksoi se që nga gushti i vitit 2017 më shumë se 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Pjesëtarët e komunitetit Rohingya, të cilët nga OKB-ja përshkruhen si njerëzit më të përndjekur në botë, janë përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.
OKB-ja dokumentoi përdhunimet në masë të grupeve, vrasjet, përfshirë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, rrahjet brutale dhe zhdukjet e kryera nga personeli i sigurisë.
Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.