Eşref Musa,Levent Tok
13 Qershor 2019•Përditësim: 14 Qershor 2019
Opozitarët ushtarakë dhe grupet e armatosura siriane kundër regjimit kanë rimarrë nën kontroll katër pika duke zmbrapsur në jug të Idlibit paparimin e forcave të regjimit të përbërë nga regjimi i Bashar al-Assadit dhe grupet e mbështetura nga Irani, raporton Anadolu Agency (AA).
Opozitarët ushtarakë dhe grupet e armatosura kundër regjimit, krijuan një dhomë të përbashkët operacioni për t’iu përgjigjur sulmeve të cilat regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij i kanë intensifikuar që nga fundi i prillit.
Forcat të cilat veprojnë nën çatinë e dhomës së përbashkët të operacionit, kanë pastruar nga regjimi kodrat Tel Meleh dhe Medreset Ed Dahra që kanë një rëndësi strategjike, si dhe vendbanimet El Osaman dhe Xhubbejin në lindje të rajonit Kefrenbude, zona këto në jug të Idlibit dhe pjesën veriore të qytetit Hama, të cilat ndodheshin nën kontrollin e forcave të regjimit.
Komandanti Naxhi Mustafa, zëdhënës i Frontit Kombëtar Çlirimtar, një nga përbërësit e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), tha për gazetarin e AA-së se "Në kuadër të operacionit që kemi filluar duke e emërtuar ‘Fetih El Mubin’ kemi pastruar nga elementët e regjimit 2 vendbanime në pjesën veriore të qytetit Hama dhe 2 kodrat strategjike. Kemi neutralizuar një numër të madh të pajisjeve ushtarake dhe elementeve të regjimit".
Ndërkohë edhe zëdhënësi i Ushtrisë Xhejshul Izze, një tjetër prej komponentëve të ULS-së, Mustafa Bekkur ka theksuar se falë operacionit të përbashkët kanë zmbrapsur përparimin e forcave të regjimit dhe se konfliktet vazhdojnë në pjesën e cila ndodhet nën kontrollin e forcave të regjimit.
"Vendbanimet që kemi çliruar pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ajrore, kanë dëmtuar reputacionin e Rusisë. Opozitarët kanë neutralizuar qindra njësi dhe pajisje ushtarake të elementeve të regjimit. Regjimi ka zbuluar faktin se nuk mund të zgjasë as edhe një javë pa Rusinë", shtoi më tej Bekkur.
Ndërkohë bëhet e ditur se forcat e regjimit vazhdojnë sulmet ajrore dhe tokësore për të rimarrë rajonet në fjalë të cilët opozitarët kanë marrë nën kontroll. Po ashtu në rajon vazhdojnë konflikte intensive mes palëve.
Me sulmet në shkallë të gjerë që forcat e regjimit po kryejnë që nga fundi i prillit, kishin marrë nën kontroll pas konflikteve intensive me ULS fshatrat Bab el Taka, el Huvejs el Kirkat, el Hamra, esh Sheria, Muhaxhirin dhe Tuvejne, komunën Kalaja Madik, kodrën Tash dhe rajonin Kefrenbude, kodrën strategjike Osman dhe fshatin El Xhenabire në pjesën periferike të qytetit Hama në pjesën jugore të rajonit të pakësimit të tensioneve Idlib.
Rusia më 6 qershor evakuoi pikën e saj të vëzhgimit në Tel Salba, pasi opozitarët dhe grupet e armatosura kundër regjimit përparuan me shpejtësi në pjesën veriore të Hama-s.