Haydar Karaalp
28 Tetor 2019•Përditësim: 29 Tetor 2019
Në kryeqytetin irakian Bagdad është shpallur orë policore për shkak të protestave të cilat ende vazhdojnë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Komanda e Operacioneve të Bagdadit thuhet se në kryeqytet është shpallur orë policore ku ndalohet dalja në rrugë nga ora 00:00 deri në ora 06:00, ndërkohë nuk është dhënë informacion lidhur me atë se kur do të hiqet ora policore.
Irakianët po zhvillojnë protesta në rajone të ndryshme të vendit me qëllim për të shprehur revoltën kundër papunësisë, varfërisë dhe mangësive në shërbimin publik. Protestat e nisura më 1 tetor u ndërprenë për shkak të ceremonive Arbain dhe më pas filluan sërish të premten.
Si pasojë e protestave që janë përhapur kryesisht në Bagdad dhe në qytetet qendrore dhe jugore të vendit, që nga fillimi i muajit tetor e deri më tani jetën e kanë humbur rreth 200 persona ndërsa 8.000 të tjerë janë plagosur.