Ekip
27 Korrik 2020•Përditësim: 27 Korrik 2020
Ushtria pakistaneze ka njoftuar se ka qëlluar një tjetër dronë indian të tipit "quadcopter" që "ndërhyri" në hapësirat ajrore të vendit përgjatë kufirit të diskutueshëm të Kashmirit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ushtria njoftoi se droni "spiun" u qëllua në sektorin Pandu pasi "ndërhyri 200 metra brenda territorit të Pakistanit" përgjatë të ashtuquajturës Linja e Kontrollit, nëpër të cilën të dy ushtritë janë përballur me dekada.
Sipas krahut të mediave të forcave të armatosura, ky ishte droni i dhjetë i rrëzuar nga ushtria pakistaneze këtë vit.
Rajoni Xhamu dhe Kashmir administrohet në pjesë nga India dhe Pakistani, por pretendohet i plotë nga të dy vendet. Një pjesë e vogël po ashtu administrohet nga Kina.
Që kur u ndanë në vitin 1947, të dy vendet kanë luftuar tre luftëra, në vitet 1948, 1965 dhe 1971, dy prej të cilave mbi Kashmirin.
Disa grupe të Kashmirit në rajonin Xhamu dhe Kashmir kanë luftuar për pavarësi kundër sundimit indian ose bashkim me Pakistanin fqinj.
Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, mijëra njerëz janë vrarë dhe torturuar në konflikt midis dy vendeve në vitin 1989.
Gushtin e kaluar, qeveria indiane revokoi nenin 370, si dhe dispozita të tjera të lidhura me kushtetutën e vendit, duke hequr statusin e veçantë të shtetit të vetëm me shumicë muslimane në vend.
Njëkohësisht, India mbylli rajonin duke ndaluar mijëra njerëz, duke imponuar kufizime të lëvizjes dhe duke forcuar ndërprerjen e komunikimit.