Bayram Altuğ
15 Maj 2017•Përditësim: 16 Maj 2017
RUANDA (AA) - BAYRAM ALTUĞ
Parku Nacional Akagera, që gjendet në Ruanda në kufirin me Tanzaninë, pret të pasionuarit pas kafshëve të egra nga katër anët e botës.
Parku nacional që emrin ka marrë nga lumi Akagera që derdhet në liqenin Ihema, strehon kafshë interesante të egra. Ekipi i Anadolu Agency (AA) ka xhiruar parkun me leje speciale nga autoritetet ruandeze.
Parku Nacional Akagera është themeluar në vitin 1934 dhe është një nga parqet më të vjetra nacionale të Afrikës. Teksa deri në vitin 1997 parku kishte sipërfaqe prej 2.500 kilometrash katrorë, kjo sipërfaqe u zvogëlua në 1.122 kilometra katrorë pasi një pjesë e saj u dedikua për bujqësi.
Në këtë park është e mundur që në të njëjtën kohë të shihen në të njëjtën kohë fauna e savanës, lumenjtë që rrjedhin, male të larta dhe kafshë predatore.
Supozohet se në park jetojnë dhjetë mijë gjitarë dhe mbi 500 lloje të shpendëve.
Antilopat, llojet e ndryshme të gazelave, zebrat, buajt, babunët, majmunët, rinoqerontët e zinj, elefantët, krokodilët dhe hipopotamët që arrijnë peshën deri në tre tonë, mundësojnë një pamje të paharrueshme për vizitorët.
Në park gjenden edhe kafshë predatorë, siç janë leopardët dhe luanët. Gjatë turneve safari është e ndaluar zbritja nga automjetet me përjashtim të vendeve të destinuara për pushim. Gjatë këtyre turneve, vizitorët kanë mundësinë të shohin specie të ndryshme të kafshëve që vrapojnë përreth.
Gjenocidi në Ruanda ka ndikuar edhe te luanët
Gjatë gjenocidit në vitin 1994 në Ruanda janë dëmtuar edhe kafshët në park. Pasi të gjithë luanët u vranë nga populli lokal, në Akagera u donuan pesë luanesha dhe dy luanë në vitin 2015 nga dy parqe të Republikës së Afrikës së Jugut. Me kalimin e kohës, numri i luanëve ka kaluar mbi 20, ndërsa ato mund të shihen në pjesën veriore të parkut.
Qeveria e Ruandas ka rrethuar me gardh elektrik parkun për të mbrojtur kafshët, pasi mishi i kafshëve të egra konsumohej shpesh nga popullata lokale që jetonte në pjesën e Tanzanisë.
Ndryshe, vizitorët mund ta shëtisin parkun me automjet për tetë deri në dhjetë orë. Nga ana tjetër, në zona të caktuara të parkut gjenden edhe tenda për bujtje.
Parku Nacional Akagera përbën destinacionin më të rëndësishëm turistik të vendit së bashku me Parkun Nacional të Pyjeve të Reshjeve Nyungwe dhe Parkun Nacional Vullkanët (Volcanoes).