Ekip
15 Nëntor 2021•Përditësim: 15 Nëntor 2021
Policia britanike e ka shpallur "incident terrorist" shpërthimin e djeshëm në Liverpool ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një tjetër, transmeton Anadolu Agency (AA).
Russ Jackson, një zyrtar i departamentit policor për luftimin e terrorizmit, në një konferencë për media tha se katër persona janë arrestuar nga Kensington si pjesë e hetimit, i cili është mbështetur edhe nga shërbimet e inteligjencës.
Jackson tha se katër të arrestuarit do të merren në pyetje nga zyrtarët e departamentit për luftimin e terrorizmit.
Ai tha se policia beson që një mjet shpërthyes u soll në taksinë që u dogj pas shpërthimit, ku humbi jetën udhëtari që ndodhej në taksi.
"Për mrekulli, shoferi i taksisë arriti të ikë nga taksia, ai po trajtohet për lëndimet që morri dhe tani është lëshuar nga spitali", tha ai.
Në konferencën për media gjithashtu u tha se policia ka gjetur "gjëra të rëndësishme" në bastisjet dhe kërkimet që erdhën pas incidentit.
Në lidhje me incidentin, departamentit për luftimin e terrorizmit i policisë britanike dje arrestoi tre persona të moshës 29, 26 dhe 21 vjeçare.
Ata u ndaluan në Kensington në Liverpool dhe më pas u arrestuan në bazë të Aktit të Terrorizmit për shkak të shpërthimit që ndodhi jashtë Spitalit të Grave në Liverpool.
Policia e Liverpool-it njoftoi se pranoi thirrje nga spitali në ora 10:59 sipas kohës lokale rreth incidentit, ndërsa pamjet ku shfaqet një veturë në flakë u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.