Rıyaz Khalıq
31 Janar 2019•Përditësim: 31 Janar 2019
ANKARA (AA) – Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, ka bërë të ditur se samiti i dytë midis presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të mbahet në Azi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për "Fox News", Pompeo tha se “Ne do ta realizojmë atë diku në Azi”.
“Tani është koha që ekipi im dhe e gjithë qeveria e SHBA-ve të punojnë me koreanoveriorët për ta ekzekutuar atë dhe për të përmbushur angazhimin tonë për të denuklearizuar atë gadishull”, tha Pompeo.
Pompeo po ashtu theksoi se “lideri Kim na ka thënë se është i përgatitur ta bëjë këtë dhe tani misioni është të dorëzohet në atë”.
Më herët këtë muaj, SHBA dhe Koreja e Veriut ranë dakord të mbanin një samit tjetër në muajin shkurt midis liderëve të tyre gjatë një takimi midis Pompeo-s dhe zëvendësit të liderit koreanoverior, Kim Yong Chol.
Trump dhe Kim mbajtën samitin e tyre të parë në Singapor vitin e kaluar, takim në të cilin u kërkua t’u jepet fund programeve bërthamore të Koresë së Veriut e cila është nën sanksione të ashpra të OKB-së që nga viti 2016.
Të mërkurën e kaluar, Pheniani kërkoi lehtësim nga sanksionet e OKB-së për të “rritur besimin” para samitit.