Burak Bir
30 Gusht 2020•Përditësim: 31 Gusht 2020
Postimi i fundit nga llogaria në Twitter e Chadwick Boseman që njofton vdekjen e tij është bërë postimi më i pëlqyer ndonjëherë në platformën e mediave sociale, njoftoi Twitter të shtunën vonë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Llogaria e Boseman në Twitter ndau një imazh të aktorit me një deklaratë që konfirmonte se ai kishte humbur betejën katërvjeçare kundër kancerit të zorrës së trashë të premten në moshën 43 vjeçe.
Deri me tani, postimi ka marrë më shumë se 6 milionë pëlqime.
"Postimi më i pëlqyer në Twitter ndonjëherë. Një nderim i përshtatshëm për një Mbret. #WakandaForever", postoi Twitter pas lajmeve për vdekjen e tij.
Aktori dhe producenti amerikan ka lindur në vitin 1976 dhe u bë i famshëm për rolin e tij si superheroi Black Panther në filmin e Marvel Cinematic Universe.
Ai ka luajtuar edhe në filma të tjerë si "21 Bridges" dhe "Da 5 Bloods". Shfaqja e tij e fundit ishte në "Ma Rainey's Black Bottom".
Postimi i dytë më i pëlqyer në Twetter i përket ish-presidentit amerikan Barack Obama.
"Askush nuk ka lindur duke urrejtur një person tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij ose prejardhjes së tij ose fesë së tij...", kishte shkruar Obama duke cituar ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, duke marrë më shumë se 4,3 milionë pëlqime në vitin 2017.