Tayfun Salcı
26 Prill 2019•Përditësim: 29 Prill 2019
Trashëgimtari i dytë i fronit mbretëror britanik, Princi William ka vizituar Xhaminë Al Noor në Christchurch të Zelandës së Re, e cila ishte objektiv i një sulmi terrorist, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të BBC, William ka vizituar Xhaminë Al Noor në Christchurch në kuadër të një vizite dyditore në Zelandën e Re ndërsa sulmin terrorist ndaj xhamive e ka cilësuar si "një akt të pashpjegueshëm urrejtjeje".
"Terroristi u përpoq të mbillte urrejtje dhe ndarje në një vend që simbolizon altruizmin dhe bashkëjetesën", tha ai duke bërë të ditur se ka vizituar xhaminë për të treguar se terroristi ekstrem i krahut të djathtë ka dështuar në arritjen e qëllimit të tij.
Ai e vlerësoi gjithashtu edhe reagimin e qytetarëve të Zelandës së Re kundër sulmeve terroriste. "Në një moment vuajtjeje të mprehtë, ju qëndruat të palëkundur dhe së bashku. Me reagimin tuaj ndaj një tragjedie, ju keni arritur diçka të admirueshme", tha Princi William.
Xhatë vizitës së tij në xhaminë Al Noor, Princi William u shoqërua edhe nga kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.
Po ashtu bëhet e ditur se William është takuar edhe me muslimanë që kanë shpëtuar gjallë nga sulmi ndaj xhamive.
Rikujtohet se mbretëresha britanike Elizabeth II është në pozicionin e kreut të shtetit të Zelandës së Re.
Në sulmet terroriste më 15 mars në xhamitë Al-Noor dhe Linwood në Christchurch të Zelandës së Re, u vranë të paktën 50 persona, në mesin e të cilëve kishte gra dhe fëmijë ndërsa 50 të tjerë u plagosën.