Figen Shaban
21 Mars 2017•Përditësim: 21 Mars 2017
PRISHTINË (AA)-Me iniciativën e Drejtorisë së Kulturës së Komunës së Prishtinës dhe me ndihmën e ndërmarrjes publike komunale “Hortikultura”, sot me rastin e shënimit të Ditës së Pranverës në qendër të Prishtinës u organizuan aktivitete të ndryshme, si mbjellja e luleve dhe fidanëve, si dhe aktivitete të ndryshme kulturo-artistike nga fëmijët dhe të rinjtë e kryeqytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktivitetet e “Ditës se Pranverës” filluan me mbjelljen e luleve dhe fidanëve të mbështetura nga ndërmarrja publike komunale "Hortikultura" në Parkun e Qytetit të Prishtinës ku mbjellja e luleve vazhdoi edhe në qendër të qytetit, konkretisht tek sheshi “Nënë Terezë”.
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja për AA tha se Komuna e Prishtinës është kujdesur më shumë për anën kulturore dhe artistike të këtij organizimi, por sipas tij duhet ndërmarrë edhe iniciativa tjera, duke theksuar se nevoja për hapësira të gjelbërta është shume e madhe.
"Komuna synon të vazhdojë me këto organizime në mënyrë tradicionale sepse ndër tjerash kjo nënkupton një lloj të investimit për brezat e ardhshëm. Sot kishim rastin të fillojmë aktivitetet në parkun e qytetit me mbjelljen e luleve dhe fidanëve të reja dhe vazhduam me aktivitete kulturore dhe artistike”, tha Vllahinja.
Ndërsa aktivitetet paralele si pikturimi nga të rinjtë e kryeqytetit filloi edhe para objektit të Ministrisë së Kulturës.
Arbenita Dylahi, nxënëse e Gjimnazit Gjuhësor “Eqrem Qabej” në Prishtinë për AA tha se: “Pasi që është Dita e Pranverës ky është një organizim prej të rinjve ku të rinjtë mund ta shfaqin talentin e tyre dhe në këto ditët e pranverës ne mund ta paraqesim lumturinë tonë përmes pikturës”.
Edhe Kaltrina Murturi e cila performoi natyrën e qetë me anë të pikturës u shpreh e kënaqur me këtë organizim. “Është shumë aktivitet i mirë për ta treguar veten përmes aktiviteteve të lira, jo vetëm me pikturë, por edhe me zhanre të tjera”, tha Murturi.
Pjesë e aktiviteteve në qendër të qytetit ishin edhe fëmijët me veshje kombëtare shqiptare të cilët performuan valle folklorike nën kujdesin e mësueseve dhe prindërve të tyre.
Ndërkaq, edhe ansambli “Prishtina Brass” performoi disa pjesë muzikore për qytetarët e pranishëm në qendrën e qytetit.