Ali Cura
22 Shkurt 2021•Përditësim: 23 Shkurt 2021
ALI CURA
Bashkimi Evropian (BE) i cili zbaton sanksione ndaj Rusisë që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë, pritet që të marrë vendim të ri të sanksioneve për shkak të dënimit me burg ndaj opozitarit rus, Alexei Navalny, raporton Anadolu Agency (AA).
Me fillimin e zbatimit të sanksioneve ndaj Rusisë nga ana e BE-së dhe SHBA-së pas krizës së Ukrainës, ishte edhe fillimi i tensioneve të vazhdueshme mes Rusisë dhe Perëndimit. Veçanërisht për shkak të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, Perëndimi mori vendime serioze për tendosjen e ekonomisë ruse.
BE-ja zbaton sanksione ndaj kompanive dhe personave rusë, për arsye të veprimeve kërcënuese të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.
Në kuadër të këtyre sanksioneve, asetet e kompanive në fjalë ngrihen në vendet e BE-së, u ndalohet shtetasve dhe kompanive të BE-së të sigurojnë burim financiar ndaj këtyre firmave. Gjithashtu ndaj atyre që shtohen në listën e sanksione u ndalohet edhe udhëtimi.
Për shkak të sanksioneve Rusia nuk mund të shfrytëzojë në kuptimin e plotë mundësitë financiare të BE-së, nuk mund t'i blejë disa produkte dhe pajisje të teknologjisë së lartë në sektorin e naftës, si dhe nuk mund të sigurojë materialet e nevojshme në fushën e industrisë së mbrojtjes.
Në listën e sanksioneve që BE ka sjellë ndaj Rusisë, të cilëve u janë ngrirë asetet dhe u është ndaluar udhëtimit gjenden mbi 170 persona shumica prej tyre të nivelit të lartë, ndërsa numri i kompanive është afruar në 50.
Ngjarjet që shkaktuan tensione mes BE-së dhe Rusisë
Përveç aneksimit jashtëligjor të Krimesë, edhe shënjestrimi i avionit MH17 të M
alaysia Airlines në vitin 2014 me një raketë të ushtrisë ruse në Ukrainë, ishte një ndër shkaqet që shkaktoi sanksione të BE-së ndaj Rusisë.
Ndër shkaqet tjera për sanksione ndaj Rusisë dhe tensione mes Rusisë dhe BE-së ishte edhe helmimi i ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia, në qytetin britanik Salisbury, me agjentin nervor Novichok, si dhe pretendimet për sulme kibernetike nga rusët ndaj Kuvendit Federal të Gjermanisë.
Edhe burgosja e opozitarit rus Alexei Navalny, i cili u arrestua në muajin janar në hyrje të aeroportit në Moskë, pasi ai u kthye nga Berlini ku trajtohej me pretendim se ishte helmuar vitin e kaluar nga inteligjenca ruse me agjentin Novichok, hapi derën e BE-së për një sanksion të ri.
BE gjithashtu akuzon Rusinë se nëpërmjet ngjarjes me Navalny, Kremlini me presion i kufizon liritë e grupeve opozitare.
Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së, në mbledhjen e sotme, pritet që të marrin vendim për sanksione të reja ndaj Rusisë në kuadër të "Regjimit Global të Sanksioneve për të Drejtat e Njeriut" për shkak të dënimit me burg të opozitarit Navalny.
Rusia reagon, BE-ja insiston
Sipas Rusisë, sanksionet e Brukselit bazohen në pretendimet e "pabazuara" dhe se sanksionet zbatohen edhe pse nuk ka ndonjë arsye. Ndërsa administrata e BE-së duke theksuar se Rusia "është larguar nga vlerat themelore dhe BE-ja", mbron idenë me këmbëngulje se duhet t'i jepet përgjigje këtij vendi.
Vizita e diskutueshme e paradokohshme të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, në Moskë, ekspozoi edhe më tej tensionet mes Rusisë dhe BE-së. Ministri i Jashtëm i Rusisë, duke theksuar se duhet jenë të gatshëm për ndërprerjen e lidhjeve me BE-në, tha se "Nuk ka mbetur diçka si marrëdhënie", gjë që ishte tregues i qartë se marrëdhëniet janë të tensionuar.
Ai pohoi gjithashtu se për shkak të Brukselit shumë mekanizma të bashkëpunimit me BE-në janë prishur, duke vënë theksin në gjendjen e keqe që është arritur në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Nga sanksionet edhe Rusia edhe BE-ja pësuan humbje ekonomike
Vendimet për sanksione shkaktojnë që edhe BE-ja edhe Rusia të pësojnë humbje tregtare.
Para krizës së Ukrainës, në vitin 2013, vëllimi tregtar mes BE-së dhe Rusisë ishte 417 miliardë dollarë, ndërsa kjo shifër vitin e kaluar përfshirë edhe Britaninë, ra në 218 miliardë dollarë.
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish politikën editoriale të Anadolu Agency (AA).