Ruslan Rehimov
04 Prill 2023•Përditësim: 04 Prill 2023
RUSLAN REHİMOV
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 vite nga Lufta e Dytë e Karabakut, minat e vendosura nga Armenia gjatë periudhës 30 vjeçare të pushtimit në Karabak dhe përreth tij, shkaktojnë humbje të jetëve por edhe ngadalësojnë punimet e ndërtimit dhe restaurimit të Azerbajxhanit në rajon, raporton Anadolu.
Minimi i tokave është një shkelje e rëndë e normave dhe parimeve të të drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë edhe Konventat e Gjenevës të vitit 1949. Armenia për të mbajtur nën kontrollin e saj territoret e pushtuara ka vendosur qindra mijëra mina në rajone duke shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në një fjalim të tij ka deklaruar se nevojiten rreth 30 vite dhe 25 miliardë dollarë për pastrimin e minave në rajon.
Aktivitetet për pastrimin e minave zhvillohen nga Agjencia e Azerbajxhanit për Pastrimin e Minave (ANAMA) dhe njësitë e fortifikimit të Forcave të Armatosura të Azerbajxhanit. Në këto aktivitete ofrojnë kontribut edhe ekipet e Ministrisë së Situatave Emergjente, Komanda e Shërbimeve Kufitare si dhe Njësitë Speciale për Kërkimin dhe Pastrimin e Minave (ÖMAT) të Forcave të Armatosura të Türkiye-s (TSK).
Në terren po përdoren gjithashtu edhe 20 Pajisje Mekanike për Pastrimin e Minave (MEMATT) të Forcave të Armatosura të Türkiye-s (TSK) të cilat i janë dorëzuar Azerbajxhanit dhe që janë prodhuar nga Menaxhimi i Fabrikës dhe Kantierit Detar Ushtarak (ASFAT) kompanisë kontraktore shtetërore të mbrojtjes e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Türkiye-s.
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka siguruar me rastin e "4 Prillit - Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Minat" mësohet se nga ekspertët për pastrimin e minave është skanuar një sipërfaqe prej 74.644 hektarë që nga 10 nëntori 2020 kur përfundoi Lufta e Dytë e Karabakut e deri më tani. Në zonat e skanuara janë përcaktuar dhe shkatërruar mbi 42.451 municione të pashpërthyera, mbi 27.928 mina kundër personelit dhe 14.645 mina anti-tank.
Për shkak të shpërthimit të minave të vendosura nga forcat e Armenisë gjatë periudhës së pushtimit, thuhet se nga 10 nëntori 2020 e deri më sot kanë humbur jetën 50 shtetas të Azerbajxhanit ndërsa janë plagosur 238 të tjerë.