Abdulbesar Ademi
14 Maj 2025•Përditësim: 14 Maj 2025
Dhjetëra protestues nga grupi aktivist ‘Geef Tegengas’ kanë pushtuar hollin e selisë qendrore të kompanisë ‘Maersk’ në Rotterdam, duke akuzuar gjigantin global të transportit detar për bashkëpunim në krime lufte përmes transportit të dyshuar të armëve dhe komponentëve të armëve drejt dhe nga Izraeli, raporton Anadolu.
Demonstruesit u lidhën me zinxhirë pas mbrojtëses prej qelqi dhe strukturave metalike, duke bllokuar të gjitha pikat e hyrjes dhe daljes në kompani.
Disa aktivistë u shtrinë përtokë midis portave të sigurisë, duke bllokuar hyrjen në ndërtesë për disa orë. Punonjësit e kompanisë ‘Maersk’ nuk mundën të hyjnë në ambientet e ndërtesës.
Bllokada shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme të operacioneve të kompanisë.
Policia ndërhyri ndaj demonstratës, duke çmontuar bllokadën dhe duke arrestuar dhjetëra protestues, disa prej të cilëve i rezistuan në mënyrë aktive largimit nga ambientet e ndërtesës.
Tensionet u rritën me përplasje të shkurtra të raportuara gjatë procesit të largimit.
‘Maersk’, një kompani shumëkombëshe daneze, është kompania e dytë më e madhe në botë e transportit të kontejnerëve, që operon në 374 porte në 116 vende të ndryshme, me një fuqi punëtore prej mbi 100 mijë punonjësish.
Ky veprim i drejtpërdrejtë është pjesë e një lëvizje më të gjerë ndërkombëtare proteste që akuzon kompaninë ‘Maersk’ për mbështetjen e logjistikës ushtarake që lidhet me Izraelin dhe që kritikon rolin më të gjerë të kompanisë në ndryshimet klimatike, punësimin e fëmijëve dhe zonat e konfliktit.
Organizatorët thonë se pushtimi dërgon një mesazh të fortë se korporatat shumëkombëshe duhet të mbahen përgjegjëse për rolin e tyre në mundësimin e padrejtësisë globale.