Ali Cura
23 Mars 2023•Përditësim: 23 Mars 2023
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sulltanin e Omanit, Heytham bin Tariq, transmeton Anadolu.
Në deklaratën nga Pallati i Kremlinit thuhet se takimi i zhvilluar me iniciativën e palës së Omanit, ishte biseda e parë dypalëshe e nivelit të lartë mes dy vendeve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.
Më tej thuhet se gjatë bisedës u diskutua për situatën dhe perspektivat për zhvillimin e bashkëpunimit midis Rusisë dhe Omanit. Vëmendje e veçantë iu kushtua zgjerimit të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, zbatimit të projekteve të përbashkëta me përfitim të ndërsjellë, përfshirë transportin dhe sektorin e logjistikës.
Dy liderët shkëmbyen mendime edhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe vendosën të mbajnë kontakte personale dhe dialog në nivele të ndryshme.
Putini gjithashtu uroi muajin e Ramazanit popullit të Omanit dhe Sulltanit të Omanit, Bin Tariq.