Ekip
15 Dhjetor 2018•Përditësim: 16 Dhjetor 2018
PARIS (AA) – Në disa lokacione të Parisit në Francë kanë shpërthyer përleshje mes protestuesve, të ashtuquajturit "jelekë të verdhë" dhe policisë, e cila nga ana e saj ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë masat që u përpoqën të thyenin kordonin e forcave të sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përleshjet kanë shpërthyer në një rrugë dytësore pranë avenysë Champs-Elysees të shtunën në mëngjes.
Demonstruesit u përpoqën që nga avenya të kalonin në rrugicat më të vogla, të cilat nuk janë të mbyllura për trafik.
Njësitë speciale të policisë po përpiqen të mbajnë protestuesit në zona të caktuara.
- Policia arreston 85 protestues të “jelekëve të verdhë"
Policia franceze thotë se ka arrestuar të shtunën 85 protestues të “jelekëve të verdhë”, të cilët kanë protestuar në Paris.
Protestat e “jelekëve të verdhë”, që filluan si një reagim ndaj rritjes së paralajmëruar të taksave të karburanteve dhe që u shndërruan në një kryengritje kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, kanë vazhduar edhe sot, pavarësisht thirrjes së qeverisë për të ndalur.
Numri i njerëzve të arrestuar të shtunën e kaluar ishte 500. Edhe protesta e sotme u shoqërua me përleshje mes protestuesve dhe policisë e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, e cila kishte pushtuar rrugët pranë bulevardit Champs-Elysees.
Dyqanet dhe restorantet në rrugën ikonike të Parisit janë të mbyllura, ndërsa shumë linja të metrosë janë jashtë shërbimit.
Policia tha se rreth 16.000 njerëz kanë marrë pjesë në protestat e sotme anembanë vendit.
Këtë javë humbi jetën pjesëtari i gjashtë i grupit të ashtuquajtur të demonstruesve “jelekët e verdhë”, të cilin e goditi një kamion në bllokim rruge.
Përskaj asaj se autoritetet bëjnë thirrje që të ndërpriten protestat, lëvizja “jelekët e verdhë” që protestojnë në mbarë Francën nuk tregojnë shenja dobësimi.
Si kundërpërgjigje ndaj protestave, ditë më parë presidenti Macron njoftoi për një sërë masash lehtësuese në fushën e taksave dhe rritje të pagave.
Lëvizja e "jelekëve të verdhë", që ka marrë emrin nga jelekët fluoreshente, të detyrueshme në secilën veturë në Francë, sot kanë hyrë në të shtunën e pestë të protestave të cilat filluan në nëntor kundër paralajmërimeve për rritje të taksës së karburantit.