Ekip
18 Korrik 2019•Përditësim: 18 Korrik 2019
Jeanine Hennis-Plasschaert, kryetarja e Misionit të Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Irak (UNAMI) dhe përfaqësuesja speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar sulmin në të cilin ishte martirizuar edhe një punonjës i kryekonsullatës së Turqisë dhe një shtetas irakian në Erbil, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim të Plasschaert, e publikuar nga UNAMI, sulmi u cilësua si i "shëmtuar" duke theksuar se duhet të dënohet fuqimisht.
Më tej në deklaratë janë shprehur ngushëllimet, ndërsa për të plagosurit shërim të shpejtë.
Ndërsa në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Francës thuhet se "Franca dënon ashpër sulmin e ndërmarrë dje në Erbil".
"Franca shpreh ngushëllime për diplomatin turk që u martirizua si dhe për familjarët e viktimave tjera të sulmit. Franca solidarizohet me Irakun dhe Turqinë", thuhet në deklaratën e ministrisë.
Edhe Jordania ka dënuar sulmin dhe ka shprehur ngushëllime ndaj qeverisë turke dhe asaj irakiane.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sufyan el-Kudat, në deklaratën me shkrim ka reaguar rreth sulmit të kryer në Erbil ku ishin shënjestruar punonjësit e kryekonsullatës së Turqisë.
Në deklaratë, qeverive turke dhe irakiane i është shprehur ngushëllime, ndërsa për të plagosurit shërim të shpejtë.
Gjithashtu dhe Sulltanati i Omanit dënoi ashpër sulmin e armatosur në Erbil, qytet i rajonit kurd në veri të Irakut.
"U përcjellim ngushëllime të sinqerta vendit mik të Turqisë dhe vendit vëllazëror të Irakut", tha Ministria e Jashtme e Omanit në Twitter.
Kurse zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Indisë, Raveesh Kumar në një deklaratë tha, "India dënon sulmin e djeshëm terrorist në Erbil. Ne ua shprehim ngushëllimet tona familjeve të të vdekurve, në mesin e të cilëve gjendej një diplomat nga Turqia".
"India gjithmonë ka kundërshtuar dhe refuzuar terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij, si dhe ka kërkuar veprim të përbashkët nga komuniteti ndërkombëtar kundër terrorizmit, duke përfshirë terrorizmin ndërkufitar", ka shtuar ai.
Në një sulm të armatosur të ndërmarrë dje në një restorant në qytetin Erbil të Irakut, u martirizua një diplomat turk me detyrë në konsullatën e përgjithshme të Turqisë në Erbil, gjithashtu gjatë këtij sulmi humbi jetën edhe një shtetas irakian.
Ndërkohë sot u njoftua se jetën ka humbur edhe shtetasi tjetër irakian, i cili mbeti i plagosur.