Yusuf Özcan
30 Janar 2018•Përditësim: 31 Janar 2018
PARIS (AA) – Gjatë vitit të kaluar është rritur numri i vizitorëve të Kullës Eifel, që është njëri prej simboleve të kryeqytetit të Francës, Paris, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Kompania e Operimit të Kullës Eifel njoftohet se në krahasim me vitin e kaluar, në vitin 2017 numri i vizitorëve të kullës është rritur për 5,6 për qind dhe ka arritur në 6,2 milionë persona.
Drejtoresha e përgjithshme e kompanisë, Anne Yannic, në një deklaratë është shprehur se ky numër ka treguar edhe një herë se sa tërheqëse është Kulla Eifel, e cila është njëra prej simboleve më të rëndësishme të Parisit.
Kulla Eifel ishte ndërtuar mes viteve 1887-1889 nga kompania e arkitektit Gustave Eiffel, prej nga ka marrë edhe emrin, si porta hyrëse e Panairit Expo 1889 Paris, në kuadër të 100 vjetorit të Revolucionit Francez.
Që nga viti i parë i ndërtimit e deri më tani, kjo kullë çdo vit ka tërhequr më shumë se 1 milion vizitorë. Ndërtimi i kullës në lartësi prej 327 metrash, përfshirë edhe pjesën e antenës, ka zgjatur 26 muaj.
Në ndërtimin e saj kishin punuar 3 mijë persona. Numri i personave që kanë vizituar Kullën Eifel që nga dita e ndërtimit të saj, në muajin shtator të vitit të kaluar kishte arritur në 300 milionë.
Bashkia e Parisit kishte marrë vendim që përreth kullës të vendoset xhami antiplumb për shkaqe të sigurisë, ndërsa punimet për vendosjen e këtij xhami filluan në muajin shtator të vitit të kaluar.
Po ashtu ishte njoftuar se në kullë do të realizohen punimet e ngjyrosjes dhe të rinovimit të ashensorit dhe se për këtë do të harxhohen 300 milionë euro.