Emre Gürkan Abay
24 Janar 2019•Përditësim: 24 Janar 2019
MOSKË (AA) - Nënkryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme i Këshillit të Federatës Ruse, Andrey Klimov, tha se Rusia e njeh Nicolas Maduron si president të Venezuelës dhe se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në këtë qëndrim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti në lidhje me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për njohjen e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita, Juan Guaido, si "president të përkohshëm" të vendit, Klimov tha se Maduro është zgjedhur në mënyrë legjitime si president i Venezuelës.
"Edhe Rusia e njeh Maduron si president i Venezuelës i zgjidhur në mënyrë legjitime dhe nuk do të ketë ndryshim në këtë qëndrim", u shpreh Klimov.
Ndryshe, Guaido shpalli sot veten president gjatë protestave anti-qeveritare në Karakas.
"Për t'i dhënë fund uzurpimit të qeverisë, për të formuar qeverinë kalimtare dhe për të organizuar zgjedhje të lira, betohem për të marrë përsipër detyrën e presidentit të Venezuelës", tha Guaido gjatë fjalimit të tij në protestë.
Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mbështet Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.
Kohë më pas, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me SHBA-në, të cilën e akuzoi për "organizim të puçit kundër qeverisë legjitime" të vendit të tij, dhe u dha afat prej 72 orëve diplomatëve amerikanë të largohen nga Venezuela.