Elena Teslova
26 Korrik 2023•Përditësim: 27 Korrik 2023
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka deklaruar se pjesëmarrja e presidentit francez, Emmanuel Macron, në samitin e BRICS-it muajin e ardhshëm në Johannesburg të Republikës së Afrikës së Jugut do të ishte e "papërshtatshme", raporton Anadolu.
Zëdhënësja e MPJ së Rusisë, Maria Zakharova për Anadolu tha se pjesëmarrja e presidentit Macron nuk do të kontribuonte në zbatimin e punës së grupit të BRICS-it.
"Dërgimi i ftesave është një prerogativë e vendit kryesues në koordinim me anëtarët e tjerë. Qëndrimi rus u shpreh shumë herë, ne e shohim të papërshtatshme pjesëmarrjen në formatin e BRICS-it të përfaqësuesve të vendeve që ndjekin kurse neo-koloniale të Perëndimit kolektiv ndaj një numri të madh vendesh", tha Zakharova.
Ajo tha se BRICS u krijua për të rritur rolin e vendeve në zhvillim në botën shumë-polare. "Ne jemi bindur se pjesëmarrja e presidentit francez nuk do të kontribuonte në realizimin e këtyre detyrave. Fatkeqësisht, Franca nuk ka asgjë për t'i ofruar kësaj shoqate që mund ta tërheq atë", theksoi Zakharova.
Më 23 korrik, mediat e Afrikës së Jugut raportuan se Macron dëshiron të marrë pjesë në samitin e BRICS-it në Johannesburg, por presidenti i vendit, Cyril Ramaphosa, nuk i dërgoi atij ftesë.
Sipas raportimeve, presidenti i Afrikës së Jugut si kryesues i grupit të BRICS-it, ka dërguar ftesa për liderët e 70 vendeve, por as presidenti francez dhe as liderët e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar nuk janë në mesin e të ftuarve.
Mes shqetësimeve se disa vende mund të kërkojnë arrestimin e presidentit rus, Vladimir Putin, në samitin për shkak të konfliktit në Ukrainë, Putin nuk do të marrë pjesë, por ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, do të përfaqësojë Moskën në mbledhjen e caktuar për 22-24 gusht.