Ekip
04 Shtator 2017•Përditësim: 04 Shtator 2017
NEW YORK (AA) - Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ka caktuar për sot seancë urgjente për Korenë e Veriut pasi ky vend të dielën kreu një provë të re bërthamore që u dënua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kjo është seanca e dytë e KS të OKB-së për Korenë e Veriut në më pak se shtatë ditë, pasi që ky vend të dielën kreu një test të ri bërthamor.
Këshilli u takua pesë ditë më parë për të dënuar lançimin e raketës mbi Japoni dhe përsëriti kërkesat që Koreja e Veriut të pezullojë programin e saj bërthamor.
KS-OKB muajin e kaluar imponoi sanksionet më të ashpra deri më tani ndaj Koresë së Veriut, duke ndaluar eksportin e qymyrit, hekurit, plumbit dhe ushqimeve të detit.
Në takimin e sotëm, do të shqyrtohen hapat e mëtejshëm.
Pheniani zyrtar njoftoi të dielën se kishte kryer testin e gjashtë bërthamor duke testuar me sukses një bombë hidrogjeni që mund të ishte një kokë bërthamore për një raketë balistike ndërkontinentale.
Ky veprim i Koresë së Veriut është dënuar ashpër nga vende të shumta dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Britaninë e Madhe, Turqinë, Francën, Kinën, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.