Husameldin Badawi Ahmed Almayl,Zeynep Tüfekçi
03 Qershor 2019•Përditësim: 04 Qershor 2019
Ambasada e SHBA-ve në Khartoum e ka përshkruar si një "gabim" ndërhyrjen ndaj protestuesve në Sudan dhe ka njoftuar se përgjegjësia i përket Këshillit Ushtarak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të ambasadës nga llogaria në Twitter thuhet se "Ndërhyrja e forcave sudaneze të sigurisë ndaj protestuesve është një gabim dhe kësaj duhet t'i jepet fund. Përgjegjësia i takon Këshillit Ushtarak".
Poashtu edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Khartoum, Irfan Siddiq në një deklaratë nga llogaria e tij në Twiter tha se ndërhyrja e ushtrisë kundër protestuesve është shqetësuese. "Nuk duhet të ketë arsyetim për një sulm të tillë. Sulmi ndaj civilëve duhet të ndërpritet menjëherë", tha ai.
Të paktën 5 persona kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së ushtrisë sudaneze ndaj popullatës që për javë të tëra ka mbajtur protesta pro-demokratike.
Protestat e nisura më 19 dhjetor të vitit të kaluar në Sudan kundër krizës ekonomike u përhapën me shpejtësi në kryeqytetin Khartoum dhe në gjithë vendin, duke u shndërruar në protesta kundër regjimit. Më 11 prill, pasi mori kontrollin e pushtetit, ushtria sudaneze njoftoi përfundimin e periudhës së Al-Bashirit pas disa muajve të protestave popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.
Pas ardhjes së ushtrisë në pushtet, protestat kanë vazhduar nëpër rrugë, ku protestuesit kërkuan kalimin në një qeverisje civile ndërsa janë zhvilluar bisedime me qeverisjen ushtarake se si duhet të formohet qeveria e tranzicionit.