Sümeyye Dilara Dinçer
26 Shtator 2022•Përditësim: 26 Shtator 2022
Avionët dhe anijet luftarake të SHBA-së dhe anijet luftarake të Koresë së Jugut po zhvillojnë stërvitje të përbashkët detare në Gadishullin e Koresë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga marina e Koresë së Jugut thuhet se aleatët në stërvitje synojnë paraqitjen e "vendosmërisë së fortë për të dhënë reagim ndaj provokimeve të Koresë së Veriut" dhe zhvillimin e aftësive për të kryer operacione të përbashkëta detare.
Më tej thuhet se në stërvitje marrin pjesë mbi 20 anije luftarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen amerikane "USS Ronald Reagan" e cila punon me energji bërthamore.
Kjo është stërvitja e parë e përbashkët detare mes dy vendeve në të cilën një aeroplanmbajtëse amerikane ka marrë pjesë që nga viti 2017.
Japonia dhe Koreja e Jugut, dje njoftuan se Koreja e Veriut lëshoi raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në drejtim të Detit Japonez (Detit Lindor).
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, raketa me rreze të shkurtër u lëshua në orën 06:53 sipas kohës lokale nga rajoni Pjongani Verior në veriperëndim të Koresë së Veriut.
Testimi u zhvillua pasi aeroplanmbajtësja amerikane "Ronald Reagan" u ankorua për stërvitjen në qytetin Busan të Koresë së Jugut.
Koreja e Veriut, këtë vit ka kryer 8 testime raketash me rreze të shkurtër veprimi, ku testimi i fundit u krye më 5 qershor.